Organizata Botërore e Shëndetit, paralajmëroi gjatë një konference se koronavirusi mund të mos ikë kurrë.
Drejtori i Urgjencave të OBSH-së, Dr Mike Ryan paralajmëroi lidhur me parashikimet se kur koronavirusi mund të zhdukej. Ai tha se edhe nëse gjendet një vaksinë, të vësh nën kontroll virusin do të kërkojë një “përpjekje të madhe”.
“Është e rëndësishme ta mbani para sysh këtë fakt: ky virus mund të bëhet thjesht një virus tjetër endemik në shoqërinë tonë dhe ky virus mund të mos zhduket kurrë,” tha Dr Ryan në konferencën për shtyp virtual nga Gjeneva.
“HIV nuk është zhdukur, por ne e kemi pranuar virusin”.
Dr Ryan shtoi se ai nuk besonte se “dikush mund të parashikonte se kur do të zhdukej kjo sëmundje”.
Aktualisht ka më shumë se 100 vaksina të mundshme në zhvillim – por Dr Ryan vuri në dukje se ka sëmundje të tjera, të tilla si fruthi, që ende nuk janë eleminuar, pavarësisht se ka vaksina për to.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus theksoi se ishte ende e mundur për ta vënë nën kontroll virusin, me përpjekje. “Trajektoria është në duart tona dhe ne të gjithë duhet të kontribuojmë për të ndaluar këtë pandemi”, tha ai.

