Një ngjarje shokuese ishte ajo që ndodhi disa ditë më parë në zonën e Kombinatit në Tiranë ku u gjetën të vdekura nënë e bijë dhe në gjendje të rëndë vajza tjetër e familjes. Top-Channel ja qenë dje në shtëpinë ku u vetëflijuan nënë e bijë, dhe pamjet nga dhoma janë shumë të rënda. Aty ndodhet shtrati, ku Anisa Josifi, u dergj e pajetë për 15 muaj me radhë. E ëma e saj , Zhaneta, dhe e motra Blerta, kishin vendosur edhe një ventilator, për të larguar insektet dhe kundërmimin e rëndë nga trupi i pajetë i Anisës. Në shtrat vajza u gjet gjysmë e dekompozuar, lyhej nga e ëma dhe e motra me vaj e uthull, në pritje të ringjalljes së pretenduar.
Fqinjët e pallateve përballë arrijnë t’i dallojnë me sy të lirë pas dritareve pa perde, dhomën dhe shtratin ku nëna dhe motra mbajtën në mënyrë makabre të pavarrosur vajzën tjetër.
Deri tani ajo çfarë dihet vjen nga dëshmitë e Blerta Josifit, e vetmja e mbijetuar, por në gjendje të rënduar psikologjike. Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se po hetohet se cili ka qenë sekti apo organizata fetare, ku bënin pjesë tre pjesëtarët e familjes Josifi.
Hetuesit gjithashtu po analizojnë blloqet dhe librat të cilat policia i gjeti në banesën e tyre mbrëmjen e së enjtes. Shënimet kanë përmbajtje fetare ku flitet për vetëflijimin dhe rikthimin në jetë, por mister mbetet ende përcaktimi se cilës fe apo besimi i referohen. Hetimi kompleks, përfshin edhe analizimin e aparatëve celularë dhe kompjuterave të cilët ato kanë pasur në përdorim, megjithatë, burimet bëjnë me dije se vështirësia qëndron në faktin, që prej rreth dy vitesh, familja Josifi e kishte ndërprerë pjesëmarrjen në këto aktivitete fetare, duke refuzuar madje edhe të dilte nga shtëpia.

