Një ngjarje e rëndë është shënuar në Vitomiricë të Pejës, ku një baba ka mbyllur në bodrumin e shtëpisë, 4 fëmijët e tij dhe për dy ditë rresht i ka lënë pa ngrënë e pa pirë dhe mbi vajzën e madhe kishte ushtruar dhe dhunë fizike.
Ka qenë gjyshi i familjes ai i cili ka denoncuar këtë ngjarje në polici, dhe tashmë kryefamiljari me inicialet R.Z., ka rënë në pranga.
Gjyshi i fëmijëve ka rrëfyer se nuk ka arritur që ta ndalojë dot për shkak të shëndetit fizik të dobët që ka dhe është detyruar që këtë çështje ta lërë në duart e policisë.
Babai i 4 fëmijëve është dërguar në Qendrën e Shëndetit Mendor, ku ka kryer kontrolle mjekësore dhe rezulton të ketë probleme të shëndetit mendor.
Neuropsikiatri Nysret Pepaj është shprehur për mediat kosovare se burri ne fjalë është pacient i njohur për këtë qendër, pasi ka pasur edhe më herët probleme.
Pacienti është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë në Spitalin Regjional të Pejës dhe po qëndron aktualisht në dhomë izolimi, pasi profesionistët kanë konstatuar sjellje agresive tek ai. Sipas shefit të repartit të psikiatrisë në spitalin e Pejës, babai në fjalë nuk pranon as ushqim as ilaçe.

