Nutricientët fajësojnë pijet me sheqer për një mori problemesh shëndetësore, kështu shumë njerëz konsumojnë pije dietike, për të shmangur dhe kaloritë e tepërta.
Por kjo ndoshta nuk është një alternativë e mirë për zemrën tuaj. Hulumtimi i ri zbuloi se krahasuar me konsumatorët që shmangën plotësisht pijet e ëmbla, ata që konsumuan shumë pije me ëmbëlsues artificial (pije dietike) kishin një rrezik më të lartë për sëmundjet e zemrës, po ashtu si njerëzit që konsumojnë shumë pije me sheqer të shtuar.
“Studimi ynë sugjeron që pijet e ëmbëlsuara artificialisht mund të mos jenë një zëvendësim i shëndetshëm për pijet me sheqer,” -tha Eloi Chazelas, autori kryesor, kandidat për doktoraturë dhe një anëtar i ekipit kërkimor të epidemiologjisë në Universitetin Sorbonne Paris Nord, në Francë.
Gjetjet bazohen në të dhëna nga pothuajse 105.000 njerëz në Francë të cilët u ndoqën për 10 vjet, duke filluar nga viti 2009. Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë për dietat e tyre çdo gjashtë muaj, të cilat studiuesit i analizuan si për zakonet e pijeve me sheqer ashtu edhe për ato dietike.
Për secilën kategori të pijeve, pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe:
· Jo-konsumatorët, të cilët abstenuan
· Konsumatorë të ulët, të cilët pinin rreth 0.5 litër në ditë
· Konsumatorë të lartë, të cilët pinin rreth 1,5 litër në ditë.
Kur studiuesit analizuan të dhënat e tyre shëndetësore, konsumatorët më të lartë në të dy kategoritë e pijeve kishin një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare – përkatësisht 20% dhe 32% – krahasuar me jo-konsumatorët.
Çfarë thotë shkenca:
Studimi i mëparshëm ka zbuluar se konsumimi i pijeve dietike të gazuara ose jo mund të rrisë rrezikun e goditjes në tru dhe nuk i ndihmon njerëzit të humbin peshë.
Pijet me sheqer të shtuar, saharozë, shurup misri me fruktozë të lartë dhe ëmbëlsues të tjerë – të tilla si pijet e gazuara, pije frutash, pije fitnesi, pije energjike dhe ujëra të ëmbëlsuar – kanë qenë nën vëzhgim për vite me radhë. Ato janë të lidhura me shtim në peshë, diabet të tipit 2, sëmundje të zemrës, sëmundje të veshkave, sëmundje joalkoolike të mëlçisë, prishje të dhëmbëve, kjo sipas ‘Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve’.
Një studim i vitit 2019, nga studiuesit e Harvardit zbuloi se sa më shumë pije me sheqer të pijnë njerëzit, aq më i madh është rreziku për vdekje të parakohshme – veçanërisht nga sëmundjet kardiovaskulare.
Gjithashtu zbuloi se konsumimi i një pijeje të ëmbël artificialisht në ditë, në vend të një pijeje me sheqer ul rrezikun e vdekjes së parakohshme, por pirja e katër ose më shumë pijeve dietike çdo ditë shoqërohej me rritjen e rrezikut të vdekshmërisë tek gratë.
Përgjigja e industrisë:
Duke komentuar mbi studimin e ri, ‘Shoqata Ndërkombëtare e Ëmbëlsuesve’ argumentoi se nuk ka asnjë provë që ëmbëltuesit e ulët ose pa kalori do të rrisin rrezikun e sëmundjes kardiovaskulare, asnjë mekanizëm të besueshëm me të cilin ata mund të shkaktojnë sëmundje të zemrës tek njerëzit. “Embëltuesit e ulët / pa kalori janë ndër përbërësit më të hulumtuar në të gjithë botën. Është e vetëkuptueshme që në mënyrë që të aprovohen për përdorim, autoritetet rregullatore të vlerësojnë tërësisht të gjitha llojet e studimeve që shqyrtojnë efektet anësore të mundshme,”-tha ajo në një deklaratë.
Shoqata Amerikane e Pijeve, vuri në dukje një rishikim të studimeve të vitit 2017 ku nuk gjetën asnjë provë përfundimtare për efektet e dobishme ose të dëmshme kur bëhej fjalë për shtim në peshë ose rrezik sëmundjesh.
“Embëltuesit me pak kalori dhe pa kalori janë konsideruar të sigurt nga organet rregullatore në të gjithë botën,”-tha për ‘TODAY’ zëdhënësja e shoqatës Danielle Smotkin.
Ky artikull mund t’ju bëjë të reflektoni mbi sasinë e përdorimit të këtyrë pijeve dietike ose jo-dietike. Është shumë e rëndësishme që në një periudhë të tillë të konsumoni sa më shumë lëngje frutash bio, për të përfituar vitaminat e duhura.
Burimi: Revista Class

