Një ngjarje tejet tragjike ishte ajo që ndodhi dje. 28-vjeçarja Emanuela Dalipi e cila ndodhej në muajin e pestë të shtatzënisë ndërroi jetë në spitalin infektiv.
Dy ditë para se Emanuela të ndërronte jetë, mjekët i hoqën fëmijën e pajetë, dhe prej atij momenti ajo “ishte dorëzuar, dhe s’kishte më dëshirë të qëndronte në spital”. Familjarët e saj të shkatërruar nga dhimbja kanë thënë se edhe 3 vite më parë, atyre u kishte vdekur një tjetër vajzë, motra e Emanuelës.
Nëna e Emanuelës, Irena Dalipi ka publikuar foton e së bijës në profilin e saj dhe e pikëlluar shkruan:
“U bë dhe shpirti mamit ëngjëll… o zooot…”.
Kujtojmë se, Emanuela Dalipi ishte infektuar afro dy javë më parë me Covid-19, kur kishte shkuar të bënte një ndërhyrje në dhëmballë. Pas ndërhyrjes, ajo kishte patur vazhdimisht dhimbje të forta koke dhe kishte shkuar në një tjetër klinikë private. Aty Emanuelës i kishin dhënë një mjekim për astmën, ndërsa në fakt, gjatë kësaj periudhe ajo ishte prekur nga koronavirusi dhe kishte shfaqur simptomat e para.
Për disa ditë 28-vjeçarja qëndroi në shtëpi, por kur gjendja u rëndua u dërgua në spital. Aty mjekët konstatuan se foshnja kishte lëvizur duke u ngjitur lart, çka i kishte shkaktuar më pas dhe ndërprerjen e oreksit. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, Emauela nuk ia doli të fitonte dot betejën për jetën.

