Një shqiptar i Malit të Zi është gjobitur me 230 euro, për shkak se ngriti flamurin shqiptar për festat e nëntorit në shtëpinë e vet.
Bëhet fjalë për Emin Beqaj nga qyteti i Tuzit.
Gjoba është paguar nga subjekti politik Alternativa Shqiptare.
Kreu i koalicionit të partive shqiptare për zgjedhjet e 3 marsit, Nik Gjeloshaj, ka publikuar edhe mandatin e pagesës së gjobës, bashkangjitur me një koment të shkurtër.
Postimi i plotë
Të nderuar miq, Siç e dini, unë disa herë kam shprehur publikisht pakënaqësinë time, në lidhje me mosaprovimin e ligjit për rend publik, me të cilin do të lejohej përdorimi i lirë i flamurit kombëtar. Alternativa Shqiptare në bashkëpunim me subjektet tjera nacionale do të punojë pa ndalur që ligji në fjalë të aprovohet në Parlament sa më parë!
Ne kemi kritikuar ashpër dënimin e shqiptarëve në Tuz dhe Ulqin nga policia e shtetit disa kohë më parë!
Përveç kësaj, unë kam pohuar publikisht që çdo shqiptar që dënohet për flamur, gjobën në tërësi do ta paguaj Alternativa Shqiptare! E përsërisim edhe me këtë rast se NUK MUND TË NA E NDALIN PËRDORIMIN E SIMBOLIT TONË dhe që NUK MUND TË NA DËNOJNË, sa jemi në gjendje të PAGUAJMË! Ps po ndajmë me Ju mandat pagesën e gjobës për bashkëvendësin tonë Emin Beqaj! Sinqerisht, NGJ.


