TË FUNDIT

Arrestimi i zyrtarëve të AKBN, në hetime u përfshi dhe FBI, si u ‘dekonspirua’ operacioni?

Detaje të reja kanë dalë për 5 zyrtarët e AKBNtë cilët u arrestuan sot.

Prokuroria ka kërkuar masën arrest me burg pasi akuzohen për “mashtrim me pasoja të rënda”, “kontrabande me mallra qe paguhen akcize”, “fshehje te ardhurash” dhe “shpërdorim detyre”.

Për këtë aksion vijonë të mbeten në kërkim Klodian Gradeci dhe Isuf Berberi, ndërsa ka dyshime se ata mund të jenë njoftuar më herët për atë që mund ti priste, pas hetimeve që kanë nisur prej vitit 2016.

Mësohet se në këto hetime të Prokurorisë shqiptare është e përfshirë edhe FBI, e cila nisi letër porosi ku tha se faturat janë false dhe kurrë nuk janë bërë shërbimet.

Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës:

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.

Ekzekutohen 6 masa sigurimi si dhe shpallen në kërkim dy shtetas të tjerë.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune intensive hetimore  disa mujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Akciza”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, pas një pune disa mujore nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka caktuar masë sigurimi ndaj 6 personave nën hetim, konkretisht:

Masën “Arrest në burg“ ndaj 5 shtetasve:

D.D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Q.H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

S.M., 32 vjeç, banues në Tiranë, rruga “Ylbere Bylykbashi“, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

A.D., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

N.K.,  53 vjeç, banues në Tiranë, biznesmen, për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Masën “Arrest në shtëpi” ndaj 1 shtetaseje:

R.S(Q), 35 vjeç, banuese në Tiranë, me detyrë inspektore në Drejtorinë e Auditimit tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po në vijim të operacionit u shpallën në kërkim shtetasit  K.G., 45 vjeç dhe I.B., 51 vjeç.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat