Brexit/ Parlamenti britanik në seancë të jashtëzakonshme më 19 tetor

Deputetët britanikë janë thirrur që të jenë pjesë e një seance të jashtëzakonshme të shtunën, meqë kjo ditë konsiderohet vendimtare për procesin e Brexit, apo largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Parlamenti do të mblidhet më 19 tetor pas samitit të Bashkimit Evropian, ditë e cila konsiderohet si mundësia e fundit që Britania dhe blloku evropian të arrijnë një marrëveshje para 31 tetorit.

Nëse arrihet ndonjë marrëveshje, kryeministri britanik, Boris Johnson do të kërkojë miratimin e deputetëve britanikë, mirëpo nëse nuk ndodh një gjë e tillë, një varg mundësish të tjera janë të disponueshme.

Johnson ka thënë me bindje se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, pavarësisht legjislacionit i cili detyron atë t’i kërkojë BE-së një shtyrje tjetër të Brexit, nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje deri më 19 tetor, apo nëse deputetët nuk bien dakord për Brexit pa marrëveshje.

Parlamenti britanik është mbledhur vetëm në katër të shtuna nga viti 1939, duke përfshirë 2 shtatorin e atij viti, si pasojë e nisjes së Luftës së Dytë Botërore.

Negociatat mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së janë duke vazhduar ende. Në fokus të bisedimeve mbetet ndalesa në kufirin irlandez, politikë e diskutuar mes ish-kryeministres britanike, Theresa May dhe BE-së, me qëllim të parandalimit të një kufiri të ashpër mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Një ditë më parë, burime të qeverisë britanike kanë thënë se marrëveshja për Brexit, apo për daljen e Britansë nga Bashkimi Evropian, “është në thelb e pamundur”.