Një ditë pas publikimit të rastit shokues ku mamaja dhunonte barbarisht vajzën e saj të mitur, ka ardhur dhe reagimi nga ana e policisë. Mbrëmjen e djeshme “Fiks Fare” denoncoi dhunën “kafshërore” ndaj një vajze vetëm 13-vjeçare. Autori nuk ishte i panjohur për të miturën, por vetë nëna e saj. Me zë dhe figurë, emisioni investigativ faktoi se nëna e dhunon sistematikisht vajzën për arsye të ndryshme.
Menjëherë pas denoncimit të emisionit “Fiks Fare”, policia ka bërë shoqërimin e 41 vjeçares E.M banuese në Sarandë, për veprime të mëtejshme.
41-vjeçarja u denoncua jo vetëm për dhunën e ushtruar ndaj vajzës së saj të mitur, por edhe për dhunën ndaj bashkëjetuesit të saj.
Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Sarandës, vijojnë veprimet për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave në lidhje me rastin konkret.

