Fast & Furious me makinë/ Kapet në Durrës vlonjati i rrezikshëm (EMRI)

vlora-640x433.jpg

Një 34-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për tentative vrasje, është arrestuar në Durrës. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas një ndjekjeje disaditore nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Tiranë, e Durrës u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes dhe kapja e Eduart Xhezos.
I cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë, Xhezo po qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli. Por pasi policia i është vënë pas, duke bllokuar edhe rrugën në Shkozet, u bë e mundur kapja e tij.

34-vjeçari nga Vlora akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”.

Fast & Furious me makinë
Burime zyrtare bënë me dije se 34-vjeçari Eduart Xhezo për t’i shpëtuar ndjekjes nga forcat e rendit, nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar (ishte ngritur një pikë kontrolli enkas për të në hyrje të Durrësit), duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe është larguar me shpejtësi.

Forca e Posaçme Shqiponja e DVP Durrës dhe ato të Qarkullimit Rrugor i janë vënë në ndjekje dhe në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit së bashku me personat, të cilët u shoqëruan në Polici.

Çfarë u gjet në makinë
Të njëjtat burime sqarojne se gjatë kontrollit të mjetit u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis dhe dy karta identiteti me iniciale A. S., dhe S. J.. Pas verifikimit të bërë karta e identitetit me emër A. S., rezultoi e falsifikuar, pasi fotografia në kartë i përkiste shtetasit në kërkim Eduart Xhezo, 34 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Shkallës Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”, pasi më datën 04.08.2019, rreth orës 19.30, në lagjen “1 Maj”, Vlorë janë goditur me armë shtetasit me inicialet A. B., E. B. dhe N. H. dhe ky shtetas dyshohet si një nga autorët e kësaj ngjarjeje. Sipas policise, Xhezo është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303