fbpx

FMN rekomandon që të hiqet pragu 30 mijë lekë për TAP nga profesionet e lira, të paguajnë që nga zero

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka sugjeruar qeverisë shqiptare që për pagat e profesioneve të lira (juristë, dentistë, avokatë, auditues, etj) të hiqet pragu i patatueshëm prej 30 mijë lekësh.

Rekomandimi është dhënë pas një studimi në grupet e riskut për informalitetin në tregun e punës, ku ka rezultuar se profesionet e lira deklarojnë të ardhura shumë më të ulëta për të shmangur tatimin e pagës. Duke qenë se pagat deri në 30 mijë tatohen me zero, shumë nga këto profesione copëtojnë të ardhurat mujore në më shumë se dy tre vende pune për të shmangur pagesën e TAP.

Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të hartuar një Strategji Afatmesme për të Ardhurat.

Strategjia fiskale afatmesme, e hartuar nga qeveria shqiptare dhe e asistuar nga FMN, propozon rikthimin e taksimit të sheshtë në nivelin 15% për të gjitha nivelet, tatimin mbi fitimin dhe një rishikim të TAP (tatimit mbi pagat drejt këtij niveli).

Dokumenti i FMN-së të cilën e disponon Monitor, ndër të tjera thekson se Shqipëria aktualisht aplikon një sistem të ndërlikur tatimor në taksat e punës me shumë pragje si për sigurimet shoqërore dhe për tatimin e pagës. Këto pragje shpesh bëhen shkak për shmangie tatimore dhe krijon një pabarazi në taksimin e personave që kanë të ardhura të njëjta mujore. P.sh., punonjësit paguajnë ndjeshëm më shumë tatim mbi të ardhurat dhe kontributet sociale sesa profesionet e lira që fitojnë të njëjtin nivel të ardhurash.

Politika aktuale tatimore, me disa pragje të tatimit të pagës, ka krijuar mundësi për shmangie artificiale të taksave, të tilla si vetëpunësimi fals, ndarja e bizneseve për të qëndruar brenda nivelit të ulët të tatimit mbi të ardhurat personale (TAP), analizon Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për shembull, shumë të vetëpunësuar kanë copëzuar deklarimin e pagës në tre vende, duke shmangur pagesën e taksave për një pagë mujore bruto që arrin 180 mijë lekë dhe duhet të tatohej me 23%.

Shqipëria ka shumë shkallë të progresivitetit për tatimin e të ardhurave në raport me rajonin. Kjo e ka ndërlikuar taksimin e pagave, duke e renditur Shqipërinë në një nga vendet me informalitetin më të lartë në rajon, që shkon deri në 31% në punësimin jobujqësor sipas Bankës Botërore.

Aktualisht, pagat deri në 30 mijë lekë nuk tatohen. Pagat nga 30,001 deri në 150 mijë lekë tatohem me 13%, ndërsa mbi 150,001 lekë tatohen me 23%.

Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon të tatimit mbi pagën. Në Serbi, Bosnjë dhe Maqedoni, tatimi mbi pagat është i sheshtë me 10% për të gjitha kategoritë, ndërsa Kosova ka tatim progresiv që nis nga 0, 4, 8, dhe niveli më i lartë 10%, duke e bërë vendin me tatimin më të ulët të pagës në rajon. Ndërsa në Malin e Zi, ka dy pragje të tatimit mbi pagën 9 dhe 11%./Monitor/