Hetimi ndaj presidentit amerikan/ Demokratët zbulojnë akuzat ndaj Trump

US-democrats.jpg

Komisioni i Ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve organizon një tjetër dëgjesë sot në kuadrin e hetimeve me qëllim shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Në seancën e sotme komisioni bëri publike akuzat kundër presidentit Trump.

Artikulli i parë akuzon zotin Trump për shpërdorim të pushtetit dhe i dyti e akuzon atë për pengimin e Kongresit.

Presidenti thuhet se i ka bërë presion Ukrainës për arsye politike të brendshme.

Ai insiston se nuk ka bërë “asgjë të keqe” dhe e hodhi poshtë procesin duke e konsideruar si “çmenduri”.

Hetimet janë zhvilluar rreth akuzave se presidenti abuzoi me pushtetin duke i bërë presion Ukrainës të niste hetimet për rivalin e tij politik Joe Biden, kandidatin kryesor demokrat.

Ajo që filloi si një mision faktmbledhës u përshkallëzua me njoftimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve.

“Me hidhërim, por me besim dhe përulësi, me besnikëri ndaj etërve tanë, dhe me një zemër plot dashuri për Amerikën, sot do kërkoj fillimin hartimit të akuzave për shkarkimin”, deklaroi Nancy Pelosi, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Secili nga ne është betuar të mbrojë Kushtetutën dhe faktet përpara nesh janë të qarta. Presidenti Trump nuk kërkoi thjesht të përfitonte nga ndërhyrja e huaj në zgjedhjet tona, por ai e ftoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapur këtë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona”, tha Jerry Nadler, Kryetar i Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar anëtarët e kabinetit qeveritar, me njohuri të drejtpërdrejtë të telefonatës gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkonte favore Presidentit të Ukrainës, të injorojnë fletëthirrjet e Kongresit.

Dëgjesa e sotshme e Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve do të rishqyrtojë evidencën kundër Presidentit Trump. Kryetari Nadler është shprehur se akuzat e përgatitura ndaj Presidentit Trump mund të bëhen gati për t’u votuar që nga fundi i kësaj jave.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303