Fill pas deklaratës së Kryeministrit Rama për pezullimin e dhënies së qirave për muajt prill dhe maj, që do paguhen në muajt në vijim nga bizneset dhe familjarët, ky vendin është miratuar nga Qeveria dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas vendimit të miratuar, “të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës–qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, që kanë kontratë pune por e kanë pezulluar/zgjidhur atë si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020”.
Në vendim përfshihen edhe qiramarrësit studentë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër.
Ndërkohë, të gjithë qiramarrësit persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre nuk do të paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020.
“Detyrimi i prapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas muajit maj 2020”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, për ato kontrata që përfundojnë përpara afatit 31 maj 2020, detyrimi i prapambetur do të paguhet nga qiramarrësi brenda tre muajve pas datës 31 maj 2020.


