“Janë naiv, budallenj apo kriminelë?”. Mjeku reanimator lëshon apelin e fortë

Mjeku reanimator pranë QSUT, Krenar Lila, koordinator përgjegjës për organizimin e punës së shërbimit anestezi- reanimacion në të gjithë strukturat spitalore shëndetësore, që do të trajtojnë personat me COVID-19  në një lidhje ‘Skype’ në emisionin “Real Story”, ka dhënë një mesazh të fortë për qytetarët që nuk i binden urdhrave për të qëndruar në shtëpi.

Lila tha se Infektivi përmbush të gjithë fluksin e deritanishmë, ndërkohë që nëse ka nevojë për spitale të tjera, pacientët do të dërgohen tek “Shefqet Ndroqi”.

“Spitali i parë që do të trajtojë personat me COVID është Infektivi. Ka kapacitet prej 120 shtretër. Në rikonstruksionin e fundit që iu bë, u rrit furnizimi i shtretërve me oksigjen, që të bëhej e mundur instalimi i oksigjenit.

Spitali Infektiv është i aftë që të trajtojë rreth 60 të sëmurë me respiracion të drejtuar, pra trajtimi i të sëmurëve në gjendje kritike.

Nëse numri i të sëmurëve do ishte më i madh, do kalonin tek ‘Shefqet Ndroqi’ dhe janë 180 vende. Por në këtë spital do i nënshtrohet rikonstruksioni sistemit të oksigjenit për të rritur furnizimin e tij.

Nuk arrij të kuptojë dot njerëzit që i shoh në rrugë, nëse janë naiv, budallenj, apo kriminelë.

Naiv është ai që është i paidentifikuar dhe del në rrugë për t’u infektuar. Nuk arrijë të dallojë dot atë që është bartës që merr ‘pistoletë’ dhe qëllon të tjerët. Është e tmerrshme se si njerëzit nuk po e kuptojnë, se çfarë i bëjnë vetes me këtë mënyrë sjellje, duke dalë në rrugë dhe duke u infektuar të tjerët.

 

Atë çka bëjmë ne, për të shpëtuar jetë njerëzish, këta mund ta bëjnë më tepër se ne. Ata që dalin nga spitali, do dalin me ngarkesë virale zero që mos të infektojnë askënd.”, tha Lila.