Këngëtari me origjinë egjiptiane fiton Sanremon

Mahmood është fituesi i festivalit të 69 të Sanremos me këngën “Soldi”.

Për 26-vjeçarin me origjinë nga Egjipti ishte e pabesueshme. Gjatë konferencës për shtyp Mahmood theksoi se është 100 përqind italian.

“Unë jam italian, i lindur e i rritur në Milano. Vendosa një shprehje arabe në këngën time, sepse më kujton fëmijërinë, por jam italian 100%”, është shprehur ai.

Nuk mund të mungonte komenti i ministrit të brendshëm Matteo Salvini si teleshikues, i cili nuk ishte dakord me çmimin e parë:

“Mahmood? Kënga më e bukur italiane?? Unë do kisha zgjedhur Ultimo, ju si thoni?”-ka shkruar ai në Twitter.

I riu italo-egjiptian spostoi në vendin e dytë Ultimon dhe në vendin e tretë Il Volo. Fitorja u përcaktua nga votat e teleshikuesve, gjykimit të medias dhe jurisë së profesionistëve.

Festivali i këngës Italiane dhuroi emocione në të gjitha netët e tij. Diva të muzikës italiane Loredana Bertè e Pati Pravo ishin në garë.

Në magjinë e natës finale në teatrin Ariston nuk munguan Eros Ramazzotti, dueti i tij me Claudio Baglioni, Elisa, e si gjithmonë humori e batutat origjinale./real-news.tv/