Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj, ka deklaruar se situata e krijuar nga COVID nuk është e mirë, ndërsa shtoi se pa ndihmën e qytetarëve nuk mund ta përballojnë dot të vetëm situatën.
“Duhet që në ta përballojmë në institucionin shëndetësor, por kjo mund të bëhet me mbështetjen e qytetarëve. Njerëzit duhet të fillojnë të ndryshojnë mënyrën e jetesës. Ajo që është treguar gjithmonë është se karantina ka lindur sepse nuk kishte mënyrë tjetër dhe kjo do të thotë distancim. Më shumë mendoj po e shpërndajmë nëpërmjet përqafimeve, puthjeve apo takimit të njerëzve.
Tani po e shpërndajnë më shumë ato grupmosha që janë të papërgjegjshëm, kuptohet se janë edhe më të vrullshëm nga mënyra e jetesës së tyre. Mosrespektimi më i madh është tek grupmosha e të rinjve dhe në spitale po vijnë prindërit e tyre. Çfarëdo masash të mira të marrësh, nëse nuk respektohen nga të gjithë nuk pritet të ketë rezultate. Ilaçi numër një është ndërgjegjësimi. Ky ka qenë një proces dinamik që në zanafillën e vet.
Tani thuajse ka ndryshuar disi mënyra e shfaqjes, por jo se nuk është virusi agresiv. Tani po jep komplikanca shumë herë. Ke temperaturë dhe pas 10-12 ditësh shikon që mushkëritë i ke të prekura nga të dyja anët. Duhet edhe shumë kujdes nga ana jonë. Shërueshmëria vazhdon të jetë e lartë, por edhe përqindja e të infektuarve që nuk shfaqin simptoma vijon të jetë e lartë”, shpjegoi Brataj.

