KRIIK thirrje urgjente Sandër Lleshajt: Bëj transparencë menjëherë….

lleshaj-ne.jpg

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara me anë të një njoftimi i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, që të bëjë transparencë të plotë të gjithë procesit të hartimit dhe saktësimit të listës së zgjedhësve.

KRIIK i kërkon ministrit të Brendshëm që të bëjë dhe sigurojë në vazhdimësi transparencë.

Reagimi i KRIIK

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) në ndjekje të denoncimeve të qytetarëve të transmetuara nga Emisioni Investigativ “Boom” i Radiotelevizionit “Ora Neës”, denoncimeve në media të tjera dhe veçanërisht të prononcimeve në media të Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile publikoi më datë 5 Tetor 2020, QENDRIMIN PUBLIK “Ministria e Brendshme të bëjë transparencë të plotë, në mënyrë periodike, mbi tërë procesin e hartimit dhe saktësimit të listës së zgjedhësve”.

Nëpërmjet tij theksohet se nisja tashmë e procesit të hartimit e saktësimit të listave të zgjedhësve përbën procesin më të rëndësishëm, i cili afekton direkt të drejtën e qytetarit për të votuar. Ky proces ka rëndësi madhore në rastin e këtyre zgjedhjeve parlamentare pasi ndikon, në rradhë të parë, në përcaktimin e numrit të mandateve për deputetë që do të nxjerrë çdo zonë zgjedhore.

Nga ndjekja në tërësi e situatës dhe shqyrtimit të rrethanave, KRIIK vëren se, lidhur me këtë problematikë të konstatuar nga media, nga ana e Ministrisë së Brendshme ka një mungesë serioze transparence dhe njëkohësisht evidentohet një qëndrim aspak i përshtatshëm dhe korrekt i të dy zyrtarëve të lartë të shtetit.

Për më tepër, aludimet se kjo është një çështje e stisur nga partitë opozitare dhe media jo profesionale, në rradhë të parë, përbëjnë deklarata të drejtëpërdrejta intimidimi ndaj medias duke cenuar lirinë e investigimit dhe të pasqyrimit të problematikave të qytetarëve në raport me institucionet shtetërore.

Nga ana tjetër, vlerësohet se sqarimet e dhëna dhe deklarimet e bëra nuk rezultojnë të përbëjnë një qendrim institucional të plotë dhe korrekt mbi shkakun e ndodhjes së problematikës dhe rrugëzgjidhjen e duhur institucionale të çështjes.

Në thelb, në një mungesë totale transparence, shpjegimet zyrtare të servirura ngrenë akoma edhe më shumë dyshime mbi atë se çfarë ka ndodhur realisht me ngatërresat e adresave të vendbanimit të shtetasve, mënyrën si ato janë mbledhur, si është bërë përcaktimi i adresës si vendbanim i qytetarëve dhe se si është bërë migrimi i të dhënave nga Regjistri Kombëtar i Adresave në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC).

KRIIK thekson se ndryshimi i vendbanimit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është i lidhur drejtëpërdrejtë me numrin zgjedhor, pra me listën e zgjedhësve, ndaj i bën thirrje Ministrit të Brendshëm si autoriteti përgjegjës i ngarkuar nga ligji që të bëjë dhe sigurojë në vazhdimësi transparencë.

Kjo transparencë duhet të jetë tërësore, e detajuar në hapat e ndërmarrë dhe mekanizmat e përdorur, të shoqëruara këto me bazën ligjore të mbështetur.

Madje, në gjykimin e KRIIK, është e domosdoshme që Ministri i Brendshëm së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse të bëjnë, gjithashtu, transparencën e plotë që refuzuan ta bëjnë përgjatë afro 7 muajve të kohëzgjatjes së procesit të hartimit dhe saktësimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet lokale 2019, përgjatë të cilave u bë saktësimi i adresave të vendbanimit për rreth 283,338 zgjedhës, të cilët deri në atë kohë figuronin me adresë të panjohur.

Saktësimi i adresës së këtyre zgjedhësve, sot ka peshë direkte së pari në caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, vendimmarrje e cila pritet të merret nga Komisioni Rregullator i KQZ-së së re.

KRIIK sjell në vëmendje të Ministrisë së Brendshme problematika të konstatuara, gjithashtu, në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 298 datë 10.09.2020 për përgatitjen e listës së zgjedhësve për procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

Ndër të tjera konstatohet se mbetet e paqartë dhe shqetësuese se pse ky Udhëzim është i hartuar në të njëjtën formë me udhëzimin e 2018-ës, duke mos përcaktuar shprehimisht “gjenerimin automatik të listës nga sistemi i RKGJC-së”, sikurse ishte përcaktuar në udhëzimet e tilla të mëparshme të 2016-ës dhe 2014-ës, duke lënë kështu hapësirë për menaxhim manual të tij.

Në Dokument i bëhet thirrje Ministrit të Brendshëm që të korrigjojë dhe përmirësojë Udhëzimin në mënyrë që ai të përmbushë detyrimet ligjore që rrjedhin prej Kodit Zgjedhor lidhur me numrin minimal të votuesve për një QV; procesin e njoftimit me shkrim të zgjedhësve dhe mekanizmin e llogaridhënies së Kryetarëve të Bashkive për këtë proces; fondin financiar për këtë qëllim i cili duhet vënë në dispozicion të bashkive që më datë 06.10.2020; mosparashikimin e duhur të modeleve të njoftimit si dhe sugjerime të tjera nisur nga përvoja dhe problematikat e hasura gjatë proceseve të mëparshme.

Në përfundim, KRIIK nxit Ministrinë e Brendshme dhe DPGJC që, menjëherë me publikimin e ekstraktit të parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve, të bëjë një paraqitje të plotë të të gjithë procesit të ndjekur, si dhe të publikojë të gjithë të dhënat përmbledhëse të këtij esktrakti, duke i kushtuar vëmendje të veçantë situatës së zgjedhësve me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, KRIIK nxit Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe NënKomisionerin, që menjëherë me marrjen e detyrës të marrin masa për emërimin sa më parë të dy auditëve teknicienë.

KQZ-ja e re duhet t’i kushtojë vëmendje të posaçme mbikqyrjes së procesit që kryhet nga Bashkitë e vendit, si për hartimin dhe saktësimin e listës së zgjedhësve, ashtu edhe për përcaktimin e Qendrave të Votimit, në veçanti ato në zonat rurale ku do të përdoret për herë të parë kriteri minimal i 300 votuesve për një qendër votimi.

Kjo mbikqyrje, në kushtet e një pushteti vendor dhe qendror totalisht të njëanshëm, përbën një rëndësi madhore në rritjen e besueshmërisë së procesit përballë aktorëve politikë garues, por mbi të gjitha për rritjen e besimit qytetar në procesin zgjedhor të ardhshëm.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303