LDK dhe Vetëvendosje drejt koalicionit për qeverinë e re

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosja dhe të LDK-së kanë thënë dje se janë dakorduar me përmbajtjen dhe me parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Pas një takimi që patën të premten, këto dy subjekte njoftuan se të mërkurën e ardhshme do të takohen sërish për t’i konkretizuar diskutimet e djeshme.

Dy grupet punuese, të formuara nga dy partitë më të mëdha të dala nga zgjedhjet, LVV-ja dhe LDK-ja, për të diskutuar për harmonizimin e programit qeverisës kanë zhvilluar takimin e parë gjatë ditës së djeshme. Përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve thanë se në këtë takim është folur për reformat e thella sektoriale, të cilat e presin qeverinë e ardhshme. Teksa thanë se nuk kanë diskutuar fare për ndarjen e ministrive, zyrtarët e këtyre partive pohuan se janë dakorduar për përmbajtjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Pjesëmarrësit e takimit mohuan të kenë shpalosur kushtet për bashkëqeverisje gjatë diskutimit të së premtes. Sidoqoftë, pas takimit nuk u dhanë shumë hollësi, ndonëse dy palët biseduan për më shumë se një orë. Përkundrazi, menjëherë pas takimit të mbajtur të premten në Selinë Qendrore të LDK-së në Prishtinë, LVV-ja dhe LDK-ja lëshuan një komunikatë për medie, përmes së cilës njoftuan se takimin e radhës do ta mbajnë të mërkurën e javës që vjen.

Pjesëmarrësit e cilësojnë të shkëlqyeshëm takimin

Në deklaratën e tij kandidati për deputet i LVV-së Glauk Konjufca tha se në takim është diskutuar rreth temave dhe reformave rrënjësore që e presin qeverinë e ardhshme të Kosovës. “Janë folur temat më të rëndësishme, të cilat e presin qeverinë e ardhshme dhe reformat e thella sektoriale, që duhet t’i ndërmarrë qeverisja e ardhshme e LVV-së së bashku me LDK-në”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, Konjufca nuk pranoi të japë shumë detaje lidhur me harmonizimin e programit dhe çështjet e tjera, që u diskutuan në takim. “Nuk mund të flas në hollësi, sepse mendojmë që gjëja më e mirë që do të mundë t’i kontribuonte kësaj atmosfere të mirë të bashkëpunimit, me të cilat filluan takimet tona, do të ishte njëfarë lloj mirëbesimi që e kemi ne në trajtimin e temave.

Gjatë deklaratës së tij Konjufca mohoi që gjatë takimit të jetë diskutuar për ndarjen e ministrive. “Nuk është folur as për ministri, as për ndarje të resorëve”, shtoi ai. Gjithashtu siguroi se asnjëra palë nuk ka paraqitur asnjë lloj kushti në takimin e së premtes.“Nuk ka pasur kurrfarë kushtesh, takimi ka qenë i shkëlqyeshëm dhe mendoj se kjo është rruga e duhur. As ne nuk kemi kushte për LDK-në, as ata nuk kanë kushte për ne. Ky nuk ka qenë takim i kushteve, ka qenë takim shumë i mirë, ku janë folur temat më të rëndësishme që e presin qeverinë e ardhshme”, ka potencuar ai.

Në deklaratën e përbashkët të LVV-së dhe të LDK-së të lëshuar për medie thuhet se ekipet punuese janë dakorduar me përmbajtjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. “Në vazhdimësi të takimit të dy liderëve të LDK-së dhe të LVV-së, sot në Selinë e LDK-së është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës. Dy grupet punuese u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe me parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, thuhet në komunikatë.

Ky takim ka qenë i pari në kuadër të grupeve punuese. Ndërkohë katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve ishin takuar krerët e këtyre dy partive politike. Ata nuk do të takohen deri pas certifikimit të rezultateve. Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV-ja ka dalë partia më e votuar, ndërsa LDK-ja është radhitur subjekti i dytë për nga numri i votave.