Mblidhet sërish Task-Forca për koronavirusin, zyrtare: Nuk ka raste të konfirmuara në Shqipëri

task-forca-koronavirus_3.jpg

Mblidhet sërish task-forca për koronavirusin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se nuk ka asnjë të rast të konfirmuar si i prekur me virus në Shqipëri.

Ndërkohë, 8 personat që ishin si të dyshuar, pas testimeve, kanë dalë me rezultate negative për koronavirus.

Ministria e shëndetësisë shton se do të vazhdojnë masat e rrepta në aeroporte, porte dhe pikat kufitare, ku do të ketë dyfishim të personelit mjekësor.

Task Forca këshillon që për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.

Njoftimi i ministrisë së Shëndetësisë: 

Tiranë, 24 Shkurt- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mbledhur pasditen e sotme sërish Task-Forcën e ekspertëve dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore për koronavirusin COVID-19, ku u raportua situata e deritanishme në vendin tonë dhe masat e marra.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ku ndodhet laboratori i çertifikuar që kryen analizën për koronavirus COVID-19, rezulton se janë testuar deri tani 8 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative.

Ekspertët konfirmuan në mbledhjen e Task-Forcës se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit në vendin tonë.

Pas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë komunitare të koronavirusit në Itali po vijohet me përforcimi i masave në pikat kufitare, sigurimi i sasisë së shtuar të mjeteve të mbrojtjes personale, përforcimin e gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19.

U vendos që ISHP, ISHSH, strukturat e njësive vendore të shëndetit  të ndjekin zbatimin e urdhrit të ministres Manastirliu për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë. Përfaqësuesit e Task Forcës kanë bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

Task Forca raportoi se po vijohet me forcimin e masave për kontrollin dhe parandalimin e koronavirusit COVID-19 si më poshtë:

Dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore, monitorimi i pasagjerëve nga ekipi shëndetësor edhe nëpërmjet matjes së temperatures.

Përforcim i kontrolleve në pikat kufitare, për çdo udhëtar për çdo udhëtar që vjen nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH.

Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenjë klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.

Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.

Task Forca theksoi se duhet të vijojë masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit.

Gjithashtu siç është bërë me dije, nga komiteti teknik tashmë janë vlerësuar disa vende për karantinim, në rast se do të jetë e nevojshme.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303