fbpx

Me siguri e dini, kjo është fjala e vitit 2020

v2.jpg

Kompania amerikane e leksikologjisë, Merriam-Webster, e cila nxjerr gjithashtu fjalorin e anglishtes amerikane, njoftoi të hënën se “pandemi” është fjala e vitit.

“Nuk besoj se është habitur njeri nga kjo zgjedhje,” thotë redaktori i kompanisë Merriam-Webster në komente për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Zakonisht fjala e zgjedhur ka një përdorim teknik. Në këtë rast, “pandemi” ka përdorim teknik, por hyri edhe në përdorim të gjerë. Ka shumë të ngjarë që kjo të bëhet fjala referuese kur të flasim në të ardhmen për këtë periudhë,” thotë ai.

Fjala hyri me urgjencë në përdorim në mars, kur kriza e krijuar nga koronavirusi u cilësua si pandemi. Në faqen elektronike të kompanisë, Merriam-Webster.com filloi të shfaqej si fjalë e shfaqur shpesh që në fillim të janarit, pastaj në shkurt kur u regjistruan vdekjet e para në Shtetet e Bashkuara dhe kur u vërejtën vatra infeksioni në anijet turistike.

Më 11 mars, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi shpërthimin e koronavirusit si pandemi globale, kërkimet në internet për këtë term u rritën ndjeshëm. Interesimi për këtë fjalë ka vazhduar të jetë i lartë gjatë gjithë vitit, thotë zoti Sokolowski. Interesim i lartë, shpjegon zoti Sokolowski, në këtë rast përfaqëson kërkime në internet 115,806% më të larta më 11 mars për këtë fjalë se sa në të njëjtën ditë një vit më parë.

Fjala e ka origjinën tek latinishtja dhe greqishtja e lashtë. Ajo është bashkim i fjalës “pan” që do të thotë “të gjithë” dhe “demos” që në greqisht do të thotë “popullatë”. Zoti Sokolowski shpjegon se pjesa e dytë e fjalës është e njëjta rrënjë si për fjalën “demokraci”. Termi “pandemi” u shfaq në mes të viteve 1600, si sinonim për fjalën “universale” dhe në 1660 shfaqet në një tekst mjekësor si përshkrim për shpërthimin e një sëmundjeje. Në atë kohë Evropa i referohej shpërthimit të mortajës, thotë zoti Sokolowski.

Ai beson se shtimi i interesimit për këtë fjalë nuk është thjesht nga ata që donin të dinin kuptimin e fjalës, por kryesisht nga ata që kërkonin më shumë shpjegime, apo një mënyrë qetësimi nga informacioni i ofruar. “Shohim se gjatë ditës së Shën Valentinit shtohen kërkimet për fjalën “dashuri”, ndërsa “bollëk” është fjalë që shfaqet më shumë në kërkime gjatë Festës së Falenderimeve,” thotë zoti Sokolowski. “Shohim fjalë si “sureale” kur ndodh një tragjedi kombëtare. Kjo reflekton faktin se fjalorët shërbejnë kur kemi nevojë të organizojmë mendimet”.

Kompania Merriam-Webster veproi pa vonesë në mars për të shtuar në faqen elektronike të fjalorit të saj fjalë që lidhen me termin “pandemi”. Fjala “koronavirus” ka ekzistuar prej dekadash në fjalor, por termi “COVID-19” u përdor për herë të parë në shkurt. 34 ditë më pas, kompania Merriam-Webster e përfshiu në fjalorin e saj elektronik së bashku me dhjetra fjalë të tjera që lidheshin me situatën kritike shëndetësore.

“Kjo përfaqëson periudhën më të shkurtër kur një term i ri ka kaluar nga krijimi në futjen në fjalor. Fjala reflektonte situatën emergjente që po kalonim,” thotë zoti Sokolowski. Fjala “koronavirus” ishte po ashtu konkurrente si një ndër termat më të përdorur, pasi kishte kaluar nga përdorimi mjekësor në përdorim të gjerë. Të tjera ishin karantinë, asimptomatik (pa simptoma), mamba (epitet për basketbollistin Kobe Bryant, i cili u nda nga jeta në janar 2020), de-financo (protestuesit në demonstrimet për drejtësi racore në shumë raste brohorisnin këtë term në kuadër të thirrjeve për të ndalur fondet për policinë), antebellum (term latinisht që simbolizon objekte apo fenomene të periudhës para Luftës Civile amerikane) dhe “malarkey”- broçkulla, një term i dalë disi nga moda, por i preferuar në komentet e presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Të gjitha këto terma pasqyrojnë fenomene dhe ngjarje specifike të ndeshura gjatë 2020.

Me shumë interes për zotin Sokolowski dhe të tjerë të apasionuar pas fjalëve dhe origjinës e popullaritetit të tyre, është termi “karantinë”, apo “quarantine” siç shkruhet në anglisht. Kjo fjalë me rrënjë nga italishtja, u përdor në vitet 1300 gjatë mortajës, për të identifikuar periudhën kohore kur njerëz që vinin me anije duhet të prisnin në port dhe të mos futeshin në qytet për të mos përhapur sëmundjen. Pjesa e parë e fjalës “quar” në është shkurtim i fjalës italiane për dyzet, pasi periudha e karantinës në atë kohë ishte 40 ditë.

Kur vdiq Kobe Bryant, u shfaq interesim i madh për termin mamba, një gjarpër rreth të cilit ekzistojnë shumë legjenda në Afrikë. Legjenda e basketbollit, Kobe Bryant, njihej me nofkën Mamba e Zezë. Fjalori elektronik i kompanisë Merriam-Webster ka rreth 40 milionë përdorues të ndryshëm në muaj dhe mbi 100 milionë vizita në faqen elektronike në muaj./VOA

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303