‘MedWet’, shkrim për bukuritë dhe veçoritë e Lagunës së Karavastasë

Faqja prestigjioze ‘MedWet’ ka publikuar një shkrim, ku përshkruan bukuritë natyrore dhe veçoritë e Lagunës së Karavastasë. ‘MedWet’ ka marrë një iniciativë për të pasqyruar dhe promovuar zonat ligatinore të 27 shteteve të Mesdheut, duke përfshirë ëkshtu edhe Shqipërinë.

Gjatë shkrimit, ‘MedWet’ thekson nëse dëshironi të ndjeni aromën e pishave gjatë gjithë ditës, të shihni fluturimin e pelikanëve dhe flamingove, atëherë duhet të shkoni në Lagunën e Karavastasë.

“Laguna është toka ligatinore më e madhe në Shqipëri për zogjtë migratorë, duke siguruar për ata një habitat të përshtatshëm për t’u ushqyer, kaluar dimrin, shumimin dhe ngritjen e foleve. Ajo është gjithashtu habitati i vetëm në Shqipëri ku mund të rritet pelikani kaçurrel. Ishujt natyrorë brenda lagunës janë elementi më i rëndësishëm i kësaj zone për ruajtjen e zogjve. Në Lagunën e Karavastasë ka gjithashtu disa monumente natyror siç është pisha e famshme katër shekullore, Ishulli i Pelikanit që është i vetmi vend ku shumohet pelikani kaçurrel në Shqipëri, Kordoni Litoral dhe Dunat e Oazit të Divjakës, që ofrojnë një pamje magjepsëse”, janë disa fragmente të shkëputura nga shkrimi.

Më tej, ‘MedWet’ shkruan se me një stil bizantin dhe zona antike arkeologjike, laguna ka gjithashtu një rëndësi kulturore dhe historike.

“Laguna e Karavastasë përbën një burim të ardhurash për popullsinë lokale që jeton brenda parkut tradicional. Këtu, njerëzit varen nga laguna për jetesën e tyre duke u marrë me zejtari, me restorante të vogla, duke zhvilluar guida për turistët dhe peshkim tradicional, duke respektuar teknikat dhe periudhat e peshkimit”, shkruhet më tej./real-news.tv