Ministri Arben Ahmetaj në një lidhje telefonike në emisionin “Opinion”, ka folur për herë të parë për aksidentin që pësoi 2 vite më parë, duke pranuar se ishte në automjet së bashku me Mirel Mërtirin, emri i të cilit është i përmendur në aferën e inceneratorëve.
Më herët ish-deputeti Enkelejd Alibeaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, thanë se Ahmetaj në konflikt interesi ka qenë në makinë me bashkëjetuesin e Stela Gugalla, vajza që ka qenë administratore e inceneratorit të Elbasanit.
Por sipas Ahmetajt nuk ka pasur asnjë konflikt interesi në udhëtimin e tij me Mërtirin, ndërsa mbetet në pikëpyetje se pse aksidenti u shoqërua me doza të forta censurimit dhe mungese informacioni.
“Jam në makinë, kam qenë dhe do jem në makinë me të paktën 500 biznesmenë. Personi që përmendni nuk është kontraktor dhe unë nuk bëj procedurë. Për më tepër nuk kam qenë ministër kur jam aksidentuar dhe nuk kam pasur asnjë mundësi për të ndikuar”, u shpreh Ahmetaj.
Por për Bardhin dhe Alibeajn, është e qartë se Ahmetaj përmes pozitës së tij në qeveri, ka ndikuar që paratë e shtetit të shkojnë te Mërtiri apo Zoto, me të cilët bën edhe udhëtime i pashqetësuar me makinë.

