fbpx

Nis sot mësimi online, por ç’do bëjnë studentët? Ç’pritet të ndodhë në orën 11:00?

mesim.jpg

Ashtu sikurse u njoftua më herët, sot të gjitha universitetet do të nisin mësimin online.

Në total janë 130 mijë studentë në të gjitha ciklet që fillojnë sot mësimin online në universitetet publike dhe private, kurse 21 mijë prej tyre nisin fakultetin për herë të parë.

Pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, fakultetet sot do të nisin zbatimin e këtij urdhri online e për pasojë janë mbyllur edhe konviktet, me qëllim frenimin e përhapjes së Covid.

Por po ashtu, përpara Kryeministrisë në orën 11:00 studentët do të dalin në protestë lidhur me vendimin për mbylljen e Universiteteve, sikur njoftuan ditën e djeshme.

Reagimi i plotë:

Që prej karantinës së muajit mars studentët kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë. Po qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta. Mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online si pasojë e mungesës së mjeteve teknike dhe aksesit në internet. Mijëra të tjerë mbetën të papunë. Shumë mbetën të pastrehë në pamundësi për të punuar dhe paguar qiratë.

Nëntë muaj më vonë, e njëjta situatë rrezikon të përsëritet. Mësimi online vazhdon të jetë i pamundur për shumicën e studentëve, qiratë janë rritur, kostot e jetesës po ashtu, karta studentore nuk funksionon, abone nuk ka, shërbime sociale e shkollore jo e jo. Ndërkohë qeveria në vend që të lehtësojë barrën e studentëve, i mban të larta tarifat e studimit dhe jep urdhër që konviktet të boshatisen nga studentët.

Prandaj ne kemi ardhur këtu, përpara kryeministrisë, për të kërkuar:

Përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, dhe

Një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

Në të kundërt, në kushtet e keqshkollimit dhe papunësisë, mungesës së strehimit dhe parave, do të vijmë me mijëra studentë të tjerë, bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere në kryeministri.

Nëse kryeministria vazhdon të mbetet shtëpi e oligarkëve në kohë krize, ne do ta kthejmë në vatër të studentëve, punëtorëve, pensionistëve dhe qytetarëve të prekur nga pandemia.

Kupa është mbushur dhe nuk mban më. #PërUniversitetin #PërShoqërinë

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303