fbpx

Procesi hetimor ndaj presidentit Trump do të transmetohet në televizion

Ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve po e bëjnë publik procesin për hetimet kundër presidentit Donald Trump, ndërsa të mërkurën fillojnë seancat dëgjimore që do të transmetohen drejtpërdrejt në televizion.

Seancat dëgjimore publike po vënë në shënjestër presidentin Trump, duke e akuzuar për abuzim të pushtetit për përfitime politike personale.

Deri tani, procesi hetimor është kryer pas dyerve të mbyllura, me të dhëna të publikuara në formën e transkriptimeve dhe raporteve mediatike.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve po shqyrtojnë nëse Trump shkeli betimin duke i kërkuar Ukrainës që të hetojë rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter, ndërsa u bllokua ndihma ushtarake për Ukrainën, një vend aleat evropian.

Për javë të tëra, presidenti Trump ka mohuar se telefonata e tij në korrik me presidentin e Ukrainës mund të cilësohej si kushtëzim për dhënien e ndihmës ushtarake në shkëmbim të hetimeve për Biden dhe djalin e tij.

Ndër dëshmitarët e parë këtë javë do të jenë tre diplomatë të Departamentit të Shtetit që kanë dhënë dëshmi që vërtetojnë veprimet e qeverisë. Republikanët duan të dëgjojnë nga të tjerët, përfshi Hunter Biden dhe individin anonim që nxiti hetimet. Nga ana tjetër, demokratët nuk ka gjasa që të bien dakord.