Rama në Davos: Jemi si një varkë në mes të detit pa busulll

Kryeministri Edi Rama ishte në Gjenevë, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Davos-it. Kreu i qeverisë, ka theksuar se duhet të kuptohet se procesi i integrimit, është shumë i rëndësishëm.

Ai u shpreh se Shqipëria do të bëjë më të mirë për të rritur bashkëpunimin në rajon, ndërsa theksoi se Ballkani ndodhet si në një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën.

 “BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa ne kemi nevojë për BE. Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes.

Së pari dua të theksoj se nga sa mbaj mend për këtë iniciativë, kjo ishte mbledhja më e mahnitshme dhe e dobishme në drejtim të zgjerimit të këtij forumi.

Gjithashtu faleminderit që na mundësuat pjesëmarrjen në një audiencë në krah të personave kyç nga vende kyçe të Bashkimit Europian, të cilët përmes shpjegimeve dhe opinioneve të tyre na ndihmuan të kuptojmë më shumë, megjithëse ende na duhet të kuptojmë shumë më shumë.

Në këtë moment, vërtetë që ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën. Për ne ka shumë rëndësi ta dimë me saktësi. Është shumë e qartë që, nëse procesi i integrimit europian është karakterizuar në 5-6 vitet e fundit, të paktën, nga gjithmonë e më shumë paparashikueshmëri, ajo që ndodhi në tetor e bëri plotësisht të paparashikueshme. Ndërsa flasim, nuk kemi më mundësi të dimë se çfarë duhet të bëjmë për të marrë atë që kërkojmë, pasi është e qartë që natyra e vendimeve në Këshillin Europian është shumë më e përcaktuar nga vetë vendet anëtare të BE-së, sesa nga çfarë bëjmë, apo nuk bëjmë ne. Përcaktohet shumë më shumë nga sesi ata duan të jetë, apo të mos jetë BE-ja, sesa nga çfarë duan që të bëjmë, apo të mos bëjmë ne.

Sigurisht, vendet tona nuk janë gati të anëtarësohen, prandaj, nëse loja e “meritokracisë” shndërrohet në “lojën e fajësimit”, sa herë që mungon kapaciteti për të nxjerrë një vendim konsensual, kjo gjë nuk i sjell asnjë të mirë BE-së dhe procesit.

Ne nuk e nisëm këtë proces sepse dikush në Berlin, në Paris, apo në Bruksel na detyroi, por e nisëm sepse ishte saktësisht ajo që i duhej popullit tonë, kombit tonë e fëmijëve tanë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë për ta. Megjithatë ne e dimë edhe që rajoni ka shumë potencial për të shfrytëzuar dhe ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke rritur bashkëpunimin rajonal dhe duke bërë më të mirën tonë për të shmangur pasojat negative që sjell ky vendim i verbër, apo mosvendim i tetorit në opinionin publik apo në të ardhmen tonë.

Sigurisht, për Aleksandrin është më e thjeshtë, sepse, siç e tha, vendi i tij nuk është aq euro-optimist, por nuk mendoj se, meqë ne e kemi më të vështirë, duhet të qajmë, apo të lutemi sepse në fund të fundit e bëjmë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm, jo për këtë brez të liderëve në Europë.

E fundit, por jo për nga rëndësia, është absolutisht thelbësore ta themi që Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, apo Europën Juglindore, po aq sa Europa Juglindore ka nevojë për Bashkimin Europian. Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë, apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes.​”,-tha Rama.