TË FUNDIT

Samiti i Nato-s/ Udhëheqësit mblidhen për 70 vjetorin pavarësisht debateve

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s po takohen për të zhvilluar bisedimet zyrtare, në kuadër të samitit që shënon 70 vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake.

Bisedimet po zhvillohen në një kohë kur tensionet mes vendeve anëtare janë në rritje.

Samiti dy-ditor deri më tani është nën hijen e një tensioni midis vendeve aleate.

Pas takimit që pritet të zgjasë rreth tre orë, 29 udhëheqësit do të dalin me një deklaratë të përbashkët duke nënvizuar angazhimin e tyre për në NATO-n, si dhe për të treguar se aleanca po i përshtatet kërcënimeve dhe sfidave të reja.

Mikpritësi i samitit, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se vendet aleate nuk duhet të tremben asnjëherë nga diskutimi për realitetet e reja dhe kërcënimet emergjente.

Ai i kujtoi anëtarëve të aleancës parimin “një për të gjithë dhe të gjithë për një”.

“Historia tregon se paqja nuk mund të mbetet si diçka e garantuar”, tha Johnson, duke shtuar se udhëheqësit e NATO-s e kanë mundësinë të forcojnë unitetin dhe qëllimet e aleancës.

Dita e parë e samitit dy-ditor përfshinte një pritje nga Mbretëresha Elizabeth II në Pallatin Buckingham, një vizitë në rezidencën zyrtare të kryeministrit britanik dhe takime të ndara midis krerëve të NATO-s.

Fillimi i samitit u karakterizua nga mosmarrëveshjet midis aleatëve për çështje përfshirë operacionin ushtarak të Turqisë në Siri, si dhe komentet e muajit të kaluar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili kishte deklaruar se NATO-s i ka “vdekur nga truri” dhe se angazhimi i SHBA-së për bllokun po venitet.

Disa orë pasi arriti në Londër, presidenti amerikan Donald Trump tha se përshkrimi i Macronit për NATO-n është “shumë fyes” dhe se ai ishte treguar “shumë mosrespektues” në ato komente.

Sidoqoftë, presidenti amerikan u tregua më i butë ndaj liderit francez gjatë takimit të tyre të përbashkët më vonë gjatë ditës, duke thënë se Uashingtoni dhe Parisi ndajnë së bashku “përpjekje shumë të mira”, ndërsa theksoi se ekzistojnë disa “mosmarrëveshje të vogla” mbi tregtinë.

Derisa po përgatitej mbajtja e samitit, dy çështje kyçe janë ngritur nga ana e vendeve anëtare: shpenzimet e mbrojtjes dhe marrëdhëniet midis Turqisë dhe vendeve të tjera anëtare si Franca.

Para nisjes për në kryeqytetin britanik, presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan, tha se ai do të kundërshtonte planin e NATO-s për mbrojtjen e vendeve baltike nëse aleanca nuk e mbështet Turqinë në luftën e saj kundër grupeve kurde në Siri që ajo i konsideron terroriste.

Udhëheqësit e tjerë kanë kundërshtuar një veprim të tillë, pasi forcat e udhëhequra nga kurdët dëbuan luftëtarët e grupit ekstremist të Shtetit Islamik jashtë Sirisë lindore me ndihmën e një koalicioni shumëkombësh të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Kur shikoj Turqinë, ata tani po luftojnë kundër atyre që luftuan me ne krah për krah kundër grupit IS”, tha presidenti francez Macron më 3 dhjetor.

Macron gjithashtu bëri thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse me Rusinë, mes tensioneve të vazhdueshme midis Moskës dhe Perëndimit.

“Është i rëndësishëm një dialog strategjik me Rusinë”, tha Macron, duke shtuar se aleanca duhet ta bëjë këtë “me sy të hapur”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, më parë kishte deklaruar se Rusia ishte e hapur për bashkëpunim me NATO-n lidhur me kërcënimet e përbashkëta, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar, por theksoi se përpjekjet për të krijuar lidhje më të ngushta ishin “praktikisht të kufizuara”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka bërë presion të madh që vendet e tjera anëtare të NATO-s të përmbushin detyrimet e shpenzimeve të aleancës, e diskutoi këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

“Ne po bëjmë përparim të vërtetë, më e rëndësishmja në ndarjen e barrës financiare”, tha Stoltenberg në takim.

Ai tha se aleatët evropianë dhe Kanadaja kishin shtuar 130 miliardë dollarë në buxhetet e mbrojtjes që nga viti 2016 dhe se ky numër do të rritet në 400 miliardë dollarë deri në vitin 2024.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat