Shënohet viktima e 4 nga koronavirusi, 43 vjeçari s’e fiton dot luftën me COVID-19

Është shënuar pak më parë edhe viktima e 4 nga COVID-19. Bëhet fjalë për një pacient 43-vjeçar të shtruar në spitalin Infektiv, i cili ndodhej në terapi intensive.

Pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë. 43-vjeçari nga Kavaja, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë në një reagim për mediat, “i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes”.

Mbrëmë ndërroi jetë në spitalin Infektiv në QSUT një 71-vjeçar nga Kuçova i infektuar me koronavirus. I trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ai ishte shtruar në spitalin Infektiv pasi u infektua edhe me koronavirus, nuk bënte pjesë tek 4 pacientët që ishin në terapi intensive, por gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial, që i mori jetën. 71-vjeçari sipas ministrisë së Shëndetësisë, vuante nga disa sëmundje shoqëruese, kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar, diabeti mellitus, fibrilacioni arterial dhe hipertensioni.

Më 11 mars ndërroi jetë një 73-vjeçare nga Durrësi, ndërsa në 18 mars një 66-vjeçar nga Lushnja.

Ndërkohë që dje Shqipëria regjistroi numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus gjatë 24 orëve, që nga dita ku u konfirmua pacienti ‘zero’, që u shërua bashkë me dy persona të tjerë, një prej të cilëve i ati i 28-vjeçarit.

Nga 33 teste të kryera 24 orët e fundit, 13 raste u konfirmuan pozitiv dje duke e çuar në total në 89 të infektuar.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se mosha mesatare e personave që kanë rezultuar pozitiv në Shqipëri është 48 vjeç, e ndërsa ajo e pacientëve të shtruar në spital, 54-vjeç. Për të parandaluar përhapjen vendi është në karantinë totale.