Një stuhi me erëra të forta dhe reshje të mëdha të shiut përfshiu Spanjën, Portugalinë dhe Francën, duke lënë tetë të shtunën.
Një 32- vjeçare nga Koreja Jugore vdiq të shtunën, një ditë pasi u godit në kokë nga copëzat e një ndërtese në pjesën qendrore të Madridit, njoftoi ministri rajonal i punëve të brendshme i këtij shteti.
Një burrë humbi jetën pasi vetura e tij u vërshua nga një lumë që kishte dalë nga shtrati afër qytezës Huescar, e cila shtrihet në pjesën jugore të provincës së Granada-s.
Shërbimet emergjente në rajonin e Andaluzisë njoftuan se një burrë 68-vjeçar nga Holanda, i cili ishte zhdukur më herët, është mbytur në ujë.
Nga tetë viktimat e regjistruara deri më tani, gjashtë raste kanë ndodhur në Spanjë dhe dy të tjera në Portugali. Qarkullimi i trenave në Portugali është vështirësuar për shkak të vërshimit të hekurudhave.
Autoritetet spanjolle njoftuan se 13 fluturime janë anuluar dhe rreth 8 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji për shkak të dëmeve që era ia ka shkaktuar rrjetit elektrik.
Në anën tjetër, Zyra e Motit në Francë ka aktivizuar alarmin me ngjyrë të portokalltë për 14 rajonet që shtrihen përgjatë bregdetit të Oqeanit Atlantik. Afër kufirit me Spanjën u regjistruan erëra me shpejtësi deri në 148 kilometra në orë.

