Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, ka komentuar sot tensionet e rritura në Lindjen e Mesme.
Von der Leyen theksoi se tensionet në Lindjen e Mesme ndikojnë në tërë botën dhe jo vetëm në rajon dhe bëri thirrje për lënien “urgjente” të armëve dhe zbatimin e dialogut.
Duke folur në një konferencë për media së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borell, pas një takimit të Komisionit mbi Lindjen e Mesme, von der Leyen fillimisht shprehu ngushëllime për të afërmit e viktimave të avionit të Linjës Ajrore të Ukrainës i cili sot në mëngjes u rrëzua në Iran.
Von der Leyen njoftoi se gjatë takimit të Komisionit është biseduar mbi zhvillimet në Irak, Iran dhe Libi.
“Tensionet në rajon ndikojnë te të gjithë ne. Është e nevojshme që urgjentisht të ndalen armët dhe t’i lihet vend dialogut”, tha presidentja e Komisionit Evropian.
Ajo tha se kriza ndikon edhe në sfera si transporti, energjia, zhvillimi ekonomik dhe migrimi dhe shtoi se BE mund të kontribuojë në uljen e tensioneve në rajon.
Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Lartë Borell i cilësoi si “shumë shqetësuese” tensionet në Iran, Irak dhe në gjithë rajonin.
“Sulmi i fundit mbi bazat ajrore në Irak të përdorura nga SHBA dhe forcat e koalicionit, përfshirë evropianët, është shembulli i fundit i rritjes së tensioneve dhe konfliktit. Rritja e dhunës nuk është në dobi të askujt”, tha Borell.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Irani lëshoi dhjetëra raketa balistike në dy baza në Irak ku janë të vendosura forcat e ushtrisë amerikane dhe ato të koalicionit ndërkombëtar.
Sulmi iranian erdhi pasi të premten e kaluar, kreu i forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), Qasem Soleimani, mbeti i vrarë në një sulm amerikan me dron në Bagdad.
Vrasja e tij shënoi një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, që shpesh herë kanë qenë të nxehta që kur presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2018 tërhoqi Washingtonin në mënyrë të njëanshme nga pakti bërthamor i vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Teheranit.

