fbpx

Tronditëse/ Humbin jetën 2 pacientë të prekur nga COVID, MSH zbulon sa janë infektuar brenda 24-orëve të fundit

2 persona të prekur nga COVID-19 në vendin tonë kanë humbur jetën brenda 24-orëve të fundit në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se ka shkuar në 58 numri i viktimave.

Ministria e Shëndetësisë njofton se një paciente 78-vjeçare nga Tirana, e transferuar nga një spital jopublik, ndërroi jetë në spitalin infektiv, megjithë trajtimin intensiv në reanimacion. Viktima e dytë është një pacient 83-vjeçar nga Durrësi, në terapi intensive, i cili vuante nga hipertensioni. Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 84 pacientë, numër rekord, 11 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 64 raste pozitive, 13 më pak se dje. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 15 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 në Lezhë, nga 3 raste në Kukës, Pukë, 2 në Kurbin, dhe nga 1 rast përkatësisht në Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, Mat, Pogradec.

Në vendin tonë aktualisht janë 970 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 54 qytetarë, duke e çuar në 1438 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Për të katërtën javë të vijimit të epidemisë vazhdon një situatë serioze e rasteve të konfirmuara pozitive me Covid19, e rasteve që kanë kërkuar shtrim në spital apo rasteve në terapi intensive. Një tjetër trend në rritje janë edhe rastet që kanë pësuar humbje jete. Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi po vijon me të njëjtin intensitet transmetueshmërie dhe po paraqet raste me shenja klinike.

Ministria e Shëndetësisë u bën apel për bizneset bar-kafe, restorante, “zbatoni me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë.  Kryeni shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore. U drejtohemi qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e vendosura, të mbajnë maskën kudo ku nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik, kurse bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara, për të ruajtur punonjësit por edhe qytetarët të cilëve u shërbejnë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale. Mbajtja e maskës është domosdoshmëri për të parandaluar përhapjen e infeksionit në ato ambiente ku nuk ruani dot distancën. Të nderuar qytetarë evitoni festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njërëzve tuaj të dashur. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19” mbyllet apeli i Shëndetësisë.

 

COVID-19 – Statistika (29 Qershor 2020)

Testime totale                         26663

Raste pozitive                          2466

Raste të shëruara                    1438

Raste Aktive                             970

Humbje jete                              58 (Qarku Tiranë 32, Durrës 10, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 7, Kukës 1, Elbasan 1)

 

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë     358

Durrës     198

Shkodër     155

Vlorë     100

Fier         47

Lezhë     39

Korçë     28

Kukës     18

Elbasan     13

Gjirokastër 7

Berat      6

Dibër    1