Trump: Armëpushimi në Siri u arrit falë presionit tim

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ishte kërcënimi i tij me sanksione ndaj Turqisë, që e bëri vendin të binte dakord për një armëpushim pesëditor në luftimet me kurdët në Sirinë Veriore.

Lajmin për armëpushimin e njoftoi nënpresidenti amerikan Mike Pence pas bisedimeve me presidentin turk Tayip Erdogan.

Sipas marrëveshjes së arritur, dy aleatët e NATO-s, Turqia do t’i ndalë operacionet për pesë ditë, ndërsa tërhiqet nga rajoni përgjatë kufirit. Pas bisedimeve që zgjatën katër orë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se Ankaraja kishte marrë atë që donte, por refuzoi ta quante armëpushim.

“Ne do të bëjmë një pauzë të operacionit Pranvera e Paqes, në mënyrë që PKK-YPG të largohet nga zona e sigurt. Ky nuk është armëpushim, sepse armëpushimet bëhen vetëm midis dy palëve legjitime. Kur elementet terroristë të largohen krejtësisht nga zona e sigurt, atëherë mund ta ndalim operacionin”, tha ai në një konferencë shtypi.

Pence udhëtoi drejt Ankarasë shoqëruar nga sekretari i Shtetit Pompeo në një përpjekje për të bindur Presidentin Tayip Erdogan të ndalë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore.