Gjatë fjalimit të tretë drejtuar kombit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka nxjerrë në pah arritjet ekonomike të Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e tij.
Trump, i cili ka fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 me sloganin “Bëni Amerikën të mrekullueshme sërish”, ka deklaruar në Kongres se ka arritur atë, që ai e cilësuar si “kthim të kombit” nën udhëheqjen e tij.
“Vendet e punës janë shtuar, të ardhurat janë rritur, varfëria ka rënë, krimi ka rënë, vetëbesimi është rritur dhe shteti ynë është jashtëzakonisht i respektuar sërish”, ka thënë ai, para se të prezantonte statistikat për paga, vende të punës dhe tregje të aksioneve.
Trump ka thënë se ka realizuar premtimin e tij gjatë fushatës për të zëvendësuar Marrëveshjen e Amerikës Veriore për Tregti të Lirë, duke pretenduar se ai pakt ka ndikuar në mbylljen e vendeve të punës, andaj Trump ka nënshkruar një marrëveshje të re me Kanadanë dhe Meksikën, një javë më parë.
“Marrëveshja e parë e madhe tregtare në shumë vjet”, ka thënë Trump duke pretenduar se ajo do të ndikojë në hapjen e 100,000 vendeve të reja të punës.
Trump ka diskutuar për ekonominë në 20 minutat e parë të fjalimit të tij para se të niste diskutimin për kujdes shëndetësor dhe emigrimin ilegal, dy çështjet tjera kyçe të fjalimit të tij.
Në fjalimin e tij, Trump shprehu dëshirën për të qëndruar edhe për katër vite të tjera në detyrë.
Fjalimi i Trump erdhi në një kohë kur Senati pritet të marrë një vendim në lidhje me akuzat e ngritura nga Demokratët kundër presidentit amerikan.
Dhoma e Përfaqësuesve, e drejtuar nga demokratët ka miratuar dy akuzat kundër Trump, në dhjetor të vitit të kaluar.
Mirëpo Senati i kontrolluar nga republikanët, pritet ta shfajësojë atë më 5 shkurt.
Trump akuzohet për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, pasi dyshohet se ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në këmbim të hetimeve për rivalin e tij politik, Joe Biden.

