Tusk kundër vendimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: Ishte një gabim

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk ranë dakord për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Të dy vendet prisnin një dritë jeshile për të filluar negociatat për anëtarësimin në klubin evropian, një proces i cili mund të zgjasë disa vjet.

Në një konferencë për shtyp, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, deklaroi se nuk ishte arritur unanimiteti mes vendeve anëtare për të hapur negociatat me dy vendet.

“Shumica dërrmuese dëshironte të hapte bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Megjithatë, një vendim i tillë kërkon unanimitet dhe nuk pati unanimitet dje,” tha Presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk, i cili kryesoi takimin.

“Më lejoni të jem shumë i qartë. Nuk është faji i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Të dy vendet i kaluan provimet e tyre. Të dy vendet janë gati të nisin negociatat që sot. Ata janë gati. Fatkeqësisht disa vende anëtare nuk janë gati. Ndaj nuk ia dolëm të merrnim një vendim pozitiv. Nuk është faji i dy vendeve. Personalisht mendoj se ishte një gabim. Dua t’i dërgoj një mesazh miqve tanë maqedonas dhe shqiptarë. Ju lutem mos hiqni dorë. E kuptoj shumë mirë zemërimin tuaj sepse ju e mbajtët fjalën tuaj, ndërse neve jo. Do t’i rikthehemi kësaj çështje para samitit të Zagrebit në maj të vitit 2020 ” tha ai.

“Dështimi për të arritur unanimitet ishte “një gabim”- shtoi ai./real-news.tv/