Mbyllet sezoni turistik, Klosi: 300 milionë euro në buxhetin e shtetit

klosi.jpg

Blendi Klosi, ministër i Mjedisit dhe Turizmit, ishte pasditen e së enjtes në Golem për mbylljen e sezonit turistik.

Sipas ministrit, shtatori kishte rreth 50% më shumë turistë sesa vitin e kaluar, ndërsa turizmi gjatë këtij viti do të sjellë mbi 300 milionë euro në buxhetin e shtetit.

“Në shtator pati 44.6% turistë më shumë. Turizmi mund të kthehet në shtyllë të ekonomisë shqiptare. Viti 2018, sipas statistikave, do të prodhojë mbi 300 milionë euro në buxhet vetëm nga turizmi. Me këto para’ plotësohen sektorë të tjerë të vendit”, u shpreh Klosi.

Ministri pranoi se mund të bëhej edhe më shumë: “Ndoshta nuk arritëm atë turizmin që dëshironim për Shqipërinë, por arritëm shumë gjëra të rëndësishme. Ndryshuam në rend, ndryshuam në siguri. Patëm mirëqenie e mikpritje të mirë. Patëm më pak viktima në vend për shkak të rojeve të plazhit. Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga 12 prefektët e vendit, që punuan me shumë korrektësi. Pa punën e tyre, përpjekjet tona do të ishin të pamenaxhuara ashtu si duhet”.

scroll to top