Pse kjo racë politikanësh e ka tepruar me frazën “bëmë shaka”!

Screenshot_1-2.jpg

Gjithmonë e njëjta histori, shajnë e shqyejnë njëri-tjetrin dhe në fund na thonë: Bëmë shaka. Këta janë raca e politikanëve shqiptarë që çdo ditë e më shumë po bëhen të neveritshëm.

E mbajmë mend Sali Berishën me Fatos Nanon. I kanë thënë njëri-tjetrit një mijë të zezat, nga “vrasës” e deri të “baron i krimit“, por në fund na u shfaqën bashkë teksa shtrëngonin duart dhe njëri syresh kërkonte ta bënte President, tjetrin, vrasësin apo kriminelin ta bënte unitetin e kombit shqiptar. ‘Bëmë shaka’, na thanë atëherë.

E mbajmë mend edhe ‘dashuri-urrejtjen’ e Edi Ramës me Ilir Metën. Duhen libra pa fund për t’i përmbledhur ‘shprehjet e dashurisë’ që ata i kanë bërë njëri-tjetrin, nga fundërrinë e shoqërisë njerëzore e deri te simbol i korrupsionit. Por kur erdhi puna te pushteti i harruan të gjitha. ‘Bëmë shaka’, na thanë.

Do rrinin pa fund duke përmendur rastet por të rikthehemi te hallet e ditëve tona. Lulzim Basha dhe Edi Rama, një histori që do e meritonte një cilësim në Facebook me ‘në një marrëdhënie të komplikuar’.

Lulzim Basha e ka akuzuar kreun e Qeverisë si kryebanditin e vendit, që bashkëpunon me kriminelë dhe trafikantë droge, që e ka mbushur Shqipërinë me drogë nga Vermoshi në Konispol, që vjedh shqiptarët, që e ka shndërruar vendin në diktaturë etj., etj.

Po dje ç’bëri?! Na tha të gjithëve: Bëmë shaka.

Edhe dje Basha bëri atë që na e kanë bërë të gjithë pa përjashtim prej 30 vitesh.

Megjithëse ishte përbetuar se nuk do të ulej të dialogonte për asnjë çështje për sa kohë ishte kryeministër Edi Rama, Lulzim Basha nuk hezitoi të hedhë poshtë gjithçka kishte premtuar më parë.

Te kjo sjellje e politikës shqiptare duhet t’i gjejmë të gjitha pyetjet që kemi në kokë. Këta nuk kanë asnjë skrupull, asnjë parim, veçse të arrijnë objektivin: Kapjen e pushtetit.

Dhe shqiptarët zgjedhin të ikin, po e shpopullojnë këtë vend. Ky komb duhet një herë e mirë të marrë vendimin që t’i thotë ndal kësaj race politikanësh. Vendi ka nevojë për njerëz seriozë që marrin angazhime dhe i qëndrojnë deri në fund atyre.

T’i marrim dhe t’i hedhim të gjithë në kosh dhe ta kuptojnë se çdo do të thotë revoltë e shqiptarëve, këtë herë ta kuptojnë seriozisht e jo me ‘bëmë shaka’./Real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303