Bllokoi lajmet, përplasja e Facebook dhe Australisë/ Platforma kërkon falje

2021-02-19T150727Z_271051234_RC2RVL9WBP39_RTRMADP_3_AUSTRALIA-MEDIA-FACEBOOK-US-e1613748157363.jpg

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, u shpreh se Facebook është përsëri në tryezën e negociatave pas vendimit për të bllokuar shpërndarjen e lajmeve në platformë.

Ekzekutivi i lartë i Facebook për zonën Azi-Paqësor, Simon Milner, u detyrua të premten që të kërkojë falje pasi kompania ndaloi hyrjen në llogaritë e drejtuara nga organet qeveritare dhe departamentet shtetërore të shëndetit, në një kohë kur në Australi po zhvillohet fushata e vaksinimit.

Morrison shtoi se e mirëpriti faljen e Milner, duke theksuar se mbyllja e llogarive të informacionit publik nga Facebook ishte e pajustifikueshme. Facebook fillimisht pretendoi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të bllokonte hyrjen në faqet e shërbimeve shëndetësore dhe të urgjencës, duke argumentuar se kodi i bisedimeve në media ishte i formuluar keq.

Përplasja e Australisë me Facebook erdhi pas zhvillimit të një projekt-ligji i cili u mundëson botuesve të lajmeve që të negociojnë për kompesimin që marrin nga gjigantët e teknologjisë.

Kompanitë e teknologjisë, saktësisht Google dhe Facebook, janë përpjekur të kundërshtojnë ligjin, i cili ndikon te modeli i biznesit që i lejoi ato të bëheshin disa nga kompanitë më të pasura në botë. Të dy gjigantët e teknologjisë nuk kundërshtojnë të paguajnë për lajmet në internet. Ata tashmë paguajnë disa organizata të lajmeve për përmbajtjen. Por, do të preferonin të kishin epërsinë në përcaktimin e shumës që paguajnë.

Kritikët kanë thënë se Google dhe Facebook fitojnë shumë përmes përmbajtjes së mediave në internet, por nga ana tjetër nuk u japin atyre vlerën që u takon, ose u japin fare pak. Propozimi përfshin një rrjet të sigurt negociatash si një përpjekje për të parandaluar kompanitë që të dominojnë negociatat.

Burimet: Associated Press, Reuters

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303